Transmetuar më 30-04-2017, 14:10

Komisioneri i Bashkimit Evropian për Migrimin, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësinë, Dimitris Avramopoulos i ka dërguar mesazh urimi  Ilir Meta pas zgjedhjes së tij President i Republikës së Shqipërisë. Në letrën e tij Avramopoulos shpreh bindjen se përvoja dhe përkushtimi i Metës ndaj vlerave evropiane do të udhëheqë Shqipërinë drejt të ardhmes më të mirë.

“I dashur Ilir, urime për zgjedhjen tuaj si President i Republikës së Shqipërisë! Jam mëse i bindur se përvoja juaj, urtësia juaj, përkushtimi juaj ndaj vlerave evropiane dhe udhëheqja juaj do ta çojë Shqipërinë drejt një të ardhmeje shumë më të mirë”, – thotë z. Avramopoulos.

Më tej ai thekson se rajoni ka nevojë për udhëheqës të cilët duhet të ndërtojnë marrëdhënie miqësie e bashkëpunimi me të gjitha vendet e Ballkanit. “Gjatë kësaj kohe, kur populizmi dhe nacionalizmi janë në rritje, rajoni ynë ka nevojë për udhëheqës të cilët do të ndërtojnë marrëdhënie të forta miqësie, bashkëpunimi dhe paqeje me të gjithë popujt në rajon.

Nuk mund të lejojmë që Ballkani të ‘ballkanizohet’ dhe duhet të shmangim çdo kthim në të kaluarën e tij të errët. E ardhmja e Shqipërisë nuk mund të jetë përveçse ajo evropiane. Dhe ju mund ta siguroni këtë. Ju dhe vendi juaj do të keni gjithmonë mbështetjen dhe miqësinë time. Urimet më të mira”, përfundon mesazhin Komisioneri i BE. /b.l/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd