
Kryetari PD, Lulzim Basha me tone shumë të ashpra i ka bërë thirrje kryeministrit Rama të tërhiqet nga plani i tij për të asgjësuar pluralizmin, pasi nëse ndodh ndryshe në 19 qershor askush nuk do t’i bindet më Kushtetutës dhe askush nuk do të paguajë taksa.
“Nëse republika e vjetër nuk tërhiqet nga plani dhe projekti për të asgjësuar pluralizimin, për ta zëvendësuar atë me pluralizmin fasadë dhe për të vazhduar demokracinë fasadë, nëse kjo nuk ndodh në 18 qershor në mesnatë, Kushtetuta dhe ligjet e republikës së vjetër, për republikën e re do të jenë të pavlefshme dhe qytetarët ftohet t’i refuzojnë paqësisht duke mos paguar asnjë taksë dhe duke mos iu bindur asnjë ligji”, u shpreh Basha.
Nga çadra e protestës Basha, ka zbuluar një skandal të mazhorancës se “500 mijë euro iu afruan një kryetari partie opozitare për t’u futur në zgjedhje”. “500 mijë euro iu ofruar vetëm një kryetari partie për tu shkëputur nga opozita dhe nga ky vendim popullor, dhe për t’iu bashkuar pazarit të ndyrë. Qindra mijëra euro iu ofruan kandidatëve të tjerë. Ata thanë jo, askush nuk e mori lugën e çorbës së prishur të Ramës e Metës me shokë”, deklaroi Basha.
Kreu i opozitës me qytetarët e Kavajës në çadrën e protestës u ofroi mbështetjen e tij dhe të gjithë Shqipërisë që së bashku do t’i japin grushtin vdekjeprurës, republikës së vjetër.
“Së bashku me rininë e Kavajës do të pamundësojnë votimin falso, kthimin de fakto të pushtetit në duart e Elvis Roshit dhe më 7 maj ne do t’i japim republikës së vjetër, goditjen finale. Të vendosur në paqe totale. Asnjë lule dhe asnjë fije bari nuk do të preket në Kavajë por asnjë qytetar i Kavajës nuk do të detyrohet nga krimi dhe droga në një proces fasadë sepse një proces të tillë nuk do të ketë në Kavajë dhe as më 18 qershor në Shqipëri”, tha Basha. /b.l/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





