
Deputeti demokrat Oerd Bylykbashi nga ambientet e jashtme të Komisionit Qendror Zgjedhor deklaroi paraditen e sotme se afati i regjistrimit të kandidatëve për deputetë ka përfunduar.
Ai tha se m datë 28 prill në mesnatë ka skaduar afati i regjistrimit për kandidatë në parlamentin e Shqipërisë dhe që pas kësaj date, askush nuk mund të regjistrojë më lista. Sipas tij, cdo regjistrim i listave në KQZ do të ishte shkelje e ligjit, duke detajuar se bazuar në kodin zgjedhor, listat e kandidatëve të partive politike apo edhe e kandidatëve të pavarur, regjistrohen jo më vonë se 50 ditë para datës së zgjedhjeve.
“Data e dekretuar e zgjedhjeve është 18 qershor, e cila fillon në orën 00.00 dhe nuk llogaritet në afat, kështu që dita e 50-të përpara kësaj date është data 29 prill në ora 00.00 sot në mëngjes. E për rrjedhojë çdo regjistrim që do të bëhej gjatë ditës së sotme do të ishte i paligjshëm sepse do të ishim para 49-të ditësh e disa orësh. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka më asnjë mundësi ligjore të regjistrojë lista. Nëse e bën është duke shkelur ligjin. Përveçse politikisht, edhe kjo farsë që u quajtën zgjedhjet e dekretuara më 18 qershor”, u shpreh Bylykbashi.
Ai shtoi se ka rënë edhe dekreti i Presidentit dhe duhet që shqiptarët të votojnë në një moment tjetër me kushte të tjera jo të krijuara nga kjo mazhorancë.
Kujtojmë se Partia Demokratike prej më se dy muajsh ndodhet në bojkot dhe ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë në zgjedhje dhe ndërkohë as Partia Socialiste dhe as Lëvizja Socialiste për Integrim, nuk i kanë dorëzuar listat e kandidatëve në KQZ. /a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





