




Një operacion antidrogë i policisë së Shkodrës i koduar “Tebreg” ka asgjësuar 502 fidanë kanabis sativa si dhe rreth 2.5 kg lëndë narkotike.
Bazuar në informacionet e marra në rrugë operative nga policia është ushtruar kontroll territori në Njësinë Administrative Pult, fshati Plan, në lagjen Tebreg dhe në territorin përreth.
Si rezultat i operacionit u bë arrestimi në flagrancë i Marash Mani, 74 vjeç, Tomë Kronaj, 72 vjeç dhe Lonard Kronaj, 21 vjeç, banues në fshatin Plan, Shkodër, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Arrestimi i tyre u bë pasi nga kontrolli i ushtruar në afërsi të banesave së shtetasve Tom Kronaj dhe Marash Mani, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, dy qese plastmasi ku brenda tyre kishte lëndë narkotike kanabis sativa me peshë rreth 2.5 kg.
Gjithashtu në faqen e kodrës pranë këtyre banesave janë gjetur dhe asgjësuar me zjarr, 402 fidanë dhe 80 rrënjë bimë narkotike.
Në lidhje me këtë rast, është proceduar në gjendje të lirë për veprën penale “Moskallëzim i krimit”, T. M., 61 vjeç, banues në lagjen “Skënderbeg” Shkodër, me detyrë administrator i Njësisë Administrative Pult.
Gjithashtu u bë shpallja në kërkim e 43- vjeçarit P. Rr., banues në fshatin Plan, Shkodër, me detyrë kryeplak në fshatin Plan, për veprën penale “Moskallëzim i krimit”.
Lidhur me këtë rast materialet i’u referuan Prokurorisë së Shkodrës për ndjekje të mëtejshme. /a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





