Transmetuar më 28-04-2017, 19:41

Për herë të parë Lorik Cana zbulon arsyen e vërtetë që e detyroi të varë këpucët në gozhdë. I ftuar në emisionin “Pasdite në Top Channel”, ish-kapiteni kuq e zi tregoi se ishin problemet me zemrën ato që i detyruan mjekët të ndalonin Lorikun të luante në fushë.

Megjithatë, pavarësisht këshillave të tyre, Cana luajti edhe një vit deri sa përfundoi edhe pjesëmarrja e Shqipërisë në Kampionatin Europian të futbollit.

“Ka qenë një periudhë që unë luaja dhe në fushë ishte dhe defibrilatori në rast se do ishte i nevojshëm, kjo më shqetësonte pak, por më pas e harrova praninë e tij në fushë dhe rrezikun e zemrës dhe luajta deri në ndeshjen e fundit”, tha ai.

Angazhimet e tij të fundit e kanë mbajtur të lidhur me futbollin. Ai do të nisë  realizimin e fushave të sportit për fëmijët në Tiranë dhe më pas edhe në bashki të tjera, si projekti i parë i fondacionit që mban emrin e tij.

Por angazhimet e tij nuk do të mbeten vetëm me fondacionin “Lorik Cana”, teknologjia është një tjetër fushë ku do të investohet nga futbollisti i njohur, gjithashtu certifikimet për t’u bërë trajner janë në planet e tij të afërta.

Dhe sigurisht familja, koha që kalon me djalin dhe të afërmit e tjerë janë prioritetet e tij këtë periudhë. Ai rrëfeu gjithashtu për dasmën me nusen italiane, Monikën dhe për djalin e tyre të vogël Bojken, që i ngjan shumë të dyve kur ishin të vegjël. /b.l/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd