Transmetuar më 26-04-2017, 19:02

Në vazhdën e takimeve me aktorët kryesorë të politikës, tre ambasadorët, ai i Shteteve të Bashkuara ajo e Bashkimit Europian dhe ai i OSBE-së, i kanë dërguar një mesazh partive të vogla për një takim konsultativ me ta. Në fokus të takimit, thuhet në mesazh, do të jetë informimi i partive të vogla mbi negociatat e një dite më parë, ku të pranishëm ishin edhe eurodeputetët, McAllister dhe Fleckenstein.

Lu e Vlahutin kërkojnë që zgjidhjen e ngërçit politik ta gjejnë në mënyrë sa më gjithëpërfshirëse, duke bërë palë edhe partitë e vogla.

Takimi është thirrur për ditën e premte, në orën 10:00, i cili vjen në një kohë që po skadon afati i regjistrimit të kandidatëve për deputetë.

Mesazhi i është dërguar për 7 parti, përfshi edhe PDIU-në.

Mesazhi i plotë:

Përshëndetje z. Madhi, z. Duka, z. Dule, z. Ndoka, z. Blushi, z. Idrizi, z. Shehi Ambasadori Borchardt, Ambasadori Lu dhe Ambasadorja Vlahutin kanë kënaqësinë t’ju ftojnë në një takim informues për procesin e negociatave te zhvilluar mbrëmë.

Takimi do te zhvillohet ditën e premte, dt. 28 prill ora 10:00, vendi për t’u konfirmuar. Ju lutem me konfirmoni nëse axhenda juaj e mundëson pjesëmarrjen tuaj ne këtë takim. Ju faleminderit, Irida Gjyshi. /k.k/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd