
Pas dështimit të negociatave ditën e djeshme, sot që në mëngjes, kanë nisur lëvizjet e shumta të dy aleatëve në qeveri, por edhe të trupit diplomatik.
Lëvizjet janë intensifikuar edhe për shkak të faktit se të shtunën është afati i fundit që KQZ-ja do të pranojë listat e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 18 qershorit.
Pas takimit me kryeministrin Edi Rama, ambasadori amerikan Donald Lu shoqëruar nga dy ambasadorët e tjerë, Vlahutin dhe Borchard i janë drejtuar Kryesisë së Kuvendit.
Ata nisën në mesditë një takim me kryeparlamentarin Ilir Meta, takim që zgjati afërsisht 60 minuta.
Këto takime vijnë një ditë pas dështimit të negociatorëve europianë për të mbledhur bashkë të gjithë palët, për të gjetur një zgjidhje për krizën politike që ka përfshirë Shqipërinë.
Ndërmjetësit ndërkombëtarë David McAllister, kryetari i Komitetit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian dhe Raporteri i Parlamentit Evropian për Shqipërinë, Knut Fleckenstein gjatë së martës u takuan me përfaqësuesit e mazhorancës dhe opozitës, por nuk arritën të gjenin një zgjidhje. /b.l/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





