
Deputeti socialist Taulant Balla, reagon ndaj kryetarit të partisë LIBRA, Ben Blushi.
Ai thotë se ish- deputeti i PS ose nuk po e kupton siç duhet, ose nuk do ta kuptojë, duke nënvizuar se problemi i Partisë Demokratike nuk ka të bëjë fare as me zgjedhjet dhe as me qeverinë.
“E kemi thënë që ditën e parë, problemi i Partisë Demokratike është vettingu. Prioriteti i tyre numër një është të bllokojnë vettingun. Dje ne ishim të hapur për të negociuar dhe për të gjetur kompromis, ndoshta duke qenë më të gatshëm se sa duhet. Por PD nuk do kompromis apo dialog, sepse ata nuk e duan vettingun”, shprehet Balla në qëndrimin e tij.
Ai shton se më 18 qershor, Kushtetuta i bën thirrje qytetarëve për të vendosur se kush do t’i qeverisë për katër vitet e ardhshme dhe se partitë politike mund të zgjedhin të paraqesin një alternative ose jo.
Në vijim Balla thotë se Partia Socialiste do të kërkojë votën e popullit në 18 qershor, sepse respekton Kushtetutën dhe vullnetin e popullit.
“Dhe sepse ne besojmë se askush nuk mundet ta bllokojë vettingun dhe reformën në drejtësi”, deklaron në mbyllje të qëndrimit Taulant Balla.
Ky qëndrim i tij vjen pasi kreu i partisë LIBRA, Ben Blushi, i bëri ftesë për mocion Lulzim Bashës dhe Ilir Metës.
Ai tha se nëse Partia Demokratike nuk hyn në zgjedhje pa Qeveri tjetër dhe LSI thotë se nuk hyn në zgjedhje pa Partinë Demokratike atëherë ka një zgjidhje që zgjedhjet te mbahen dhe PD bashkë me LSI të hyjnë në zgjedhje në 18 qershor.
Sipas tij, rilindja nuk ka më shumë se 60 mandate sot në parlament që do të thotë se gjithë partitë e tjera bëjnë të paktën 80 mandate.
“Pra nëse PD ka interes të nxjerrë Rilindjen nga Qeveria dhe LSI ka interes të nxjerri PD nga çadra, janë votat për mocion mosbesimi kundër Edi Ramës. LIBRA do pranonte të rrëzonte Qeverinë për të ngritur Drejtësinë. Nëse PD do pranonte ta kalonte reformën në drejtësi dhe LSI do pranonte të bashkohej në nje mocion kundër Edi Ramës dy votat LIBRA do ishin pro në këtë rast”, deklaroi Blushi.
Në një shkrim në Facebook, nënvizoi se kjo është e vetmja rrugë ligjore, kushtetuese, politike dhe e mbetur për të krijuar një qeveri tjetër dhe për të garantuar pjesëmarrjen në zgjedhje dhe për të kaluar vettingun njëkohësisht.
“E ftoj Lulzim Bashën dhe Ilir Metën në mocion. Jemi 80 kundër 60. Këto numra mund të zgjidhnin Presidentin në dy raundet e mbetura ,mund të bënin ndryshimet që OSBE ka parashikuar në Kodin Zgjedhor dhe natyrisht të garantonin një Qeveri teknike deri ditën e zgjedhjeve”, tha Blushi.
Ai deklaroi se do të votonte çdo Kryeministër teknokrat që nuk do ishte as rilindas dhe as demokrat dhe çdo President dinjitoz që do ishte njëkohësisht patriot dhe demokrat. /a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





