Transmetuar më 26-04-2017, 12:06

Kreu i PD-së, Lulzim Basha nga çadra e lirisë siç e ka quajtur opozita ka folur për negociatat e mbrëmjes së djeshme. Sipas tij, Edi Rama dorëzoi gjithçka, vetëm që të shpëtonte karrigen e tij.

“Edi Rama e bëri të qartë se është gati të dorëzojë ministrat e tij, kreun e KQZ-së, zyrtarë në polici dhe drejtori, por nuk është gati të dorëzojë karrigen e tij. Kështu funksionon pazari i qelbur dhe duan të fusin edhe Lulzim Bashën në këtë Pazar që të bëjë pazarin tonë politik dhe të braktisë ëndrrën e shqiptarëve për një republikë të re. Kjo është ëndrra e një nate vere e Edi Ramës dhe Ilir Metës, që nuk do të bëhet kurrë realitet”, u shpreh Basha.

Më tej kreu i opozitës shtoi se PD dhe aleatët tanë janë të vendosur të qëndrojmë fuqimisht krah për krah qytetarëve të këtij vendi deri në plotësimin e plotë dhe total të kërkesave që populli ka shtruar për zgjidhje. Basha tregoi edhe një detaj të negociatave.

“Nuk kemi kërkuar pushtet në tavolinë, por qeveri teknike me ministra teknikë. Nuk kemi qenë përjashtues, përkundrazi, kemi propozuar që emri i kryeministrit teknik të vijë nga partia më e madhe e shumicës, sigurisht me miratimin e opozitës. Por Edi Rama refuzon të ndahet nga karrigia e tij. Rama thotë se për 4 javë do të bëjë dekriminalizimin që nuk e bëri për 4 vjet, do të zhdukë drogën që e mbolli në 4 vjet. Në 4 vjet nuk tha asnjë fjalë kundër drogës”, tha Basha.

Basha tha se votime pa opozitën nuk do të ketë, ndwrsa paralajmëroi se javën e ardhshme nis përshkallëzimi i protestës, ndërsa theksoi se beteja e parë do të jetë Kavaja.

Votime pa opozitën nuk do të ketë. Javën e ardhshme nis bashkimi i armatave paqësore të republikës së re. Fushë beteja jonë e parë dhe fitorja jonë e parë e popullit të bashkuar kundër zgjedhjeve fasadë është Kavaja e lirisë. Duam që qytetarët të votojnë të lirë dhe të pa kërcënuar. Koha për ta zgjidhur këtë me dialog, po shkon drejt mbarimit. Çdo minutë reflektim është mirëpritur. Kjo lëvizje e madhe popullore do të shtrihet në gjithë vendin, përmes një aksion të përshkallëzuar politik, përmes akteve të mosbindjes civile. Javën tjetër nis bashkimi i armatës së bashkuar paqësore”, përfundoi Basha./b.l/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd