Transmetuar më 25-04-2017, 16:11

Nga atentati i dyfishtë që ndodhi sot në Sukth kanë mbetur të vrarë Juxhin Dautaj dhe Ervin Dalipaj. Dautaj ka qenë i akuzuar për vrasje në vitin 2012.

Ai akuzohej për vrasjen e Fation Bamit, ish kampion i bilardos në Vlorë, i cili u qëllua në mjetin e tij me tre plumba. Ai ishte dërguar urgjent në spital por gjendja e tij shëndetësore ishte tepër e rëndë dhe mjekët nuk kanë mundur t’i shpëtojnë jetën.

Policia e Vlorës kishte njoftuar se e kishte identifikuar autorin e dyshuar të ngjarjes dhe tashmë e kishte shpallur në kërkim. Bëhet fjalë pikërisht për Juxhin Dautin, 21 vjeç, banues në lagjen “Hajro Cakërri”, i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje dhe i ekzekutuar mesditën e sotme.

Gjithashtu nga hetimet e kryera ka rezultuar se ngjarja ka ndodhur pas një grindje të çastit dhe se viktima dhe autori i dyshuar kanë qenë në marrëdhënie shoqërore me njëri-tjetrin. 

Ngjarja e sotme

Rreth orës 13: 55, në afërsi të vendit të quajtur Mbikalimi i Sukthit, janë vrarë me armë zjarri, Ervin Dalipaj dhe Juxhin Dautaj. Viktimat kanë qenë duke udhëtuar me një mjet tip Audi, kur janë qëlluar nga persona të paidentifikuar. Ish- oficeri Ervin Dalipaj, i cili ka qenë shef i Krimit Ekonomik në Policinë e Tiranës ishte shpallur në kërkim që prej janarit të vitit 2016, lidhur me rrëmbimin dhe vrasjen e Gazmend Çollakut në Durrës, i cili u gjet i lidhur dhe i torturuar në një kanal pranë Fushë Krujës.

Dyshimet paraprake flasin për një atentat mafioz, pasi dyshohet se viktimave u është bërë pritë nga një makinë e cila ka qenë në ecje pas mjetit të shënjestrës. Rrethanat e kësaj ngjarje nuk bëhen ende me dije, ndërkohë që policia po punon për të zbuluar më shumë. Ervin Dalipaj akuzohet se ka bashkëpunuar me të dyshuarin Denis Shtraza në rrëmbimin dhe vrasjen e Gazmend Çollakut. Nga hetimet e kryera është konstatuar se Ervin Dalipaj, i përjashtuar nga policia në vitin 2013, ka bashkëpunuar me Denis Shtrazën në vrasjen e Çollakut.

Ervin Dalipaj ka qenë shef i Sektorit Ekonomiko-Financiar në Drejtorinë e Përgjithshme Tiranë deri në tetor 2013, kur u shkarkua nga detyra me akuzën e “shpërdorimit të detyrës” dhe të “rrjedhjes së informacionit”. Ai u akuzua asokohe se kishte refuzuar urdhrin e ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, sipas të cilit duhet të mbylleshin të gjitha kazinotë në vend. /b.l/noa.al/ 

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd