Transmetuar më 25-04-2017, 16:06

Përveç të gjithë deputetëve që ishin të hënën udhëheqës të bllokimit të 5 akseve për 60 minuta, policia do të procedojë penalisht edhe kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Veç Bashës është proceduar sekretari i përgjithshëm Arben Ristani, nënkryetari Edi Paloka dhe deputetët Oerd Bylykbashi, Gerti Bogdani, Flamur Noka, Gent Strazimiri, Eduart Halimi, Asllan Dogjani, Kastriot Islami, Genc Pollo, Keltis Kruja, Luçiano Boçi, Eduard Spaho, Liljana Elmazi si dhe disa drejtues lokalë.

Sipas uniformave blu, pasi janë kryer të gjitha veprimet e para hetimore e proceduriale, materialet do t’i referohen prokurorisë për veprën penale “organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime dhe manifestime të paligjshme” dhe “pengim të qarkullimit të mjeteve të transportit”.

Policia deklaroi një ditë më parë se kishte refuzuar kërkesën e Partisë Demokratike për leje, duke argumentuar se tubimet cënonin rendin dhe sigurinë. /b.l/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd