Transmetuar më 24-04-2017, 20:43

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i është përgjigjur ashpër Komisionerit për Zgjerim në Bashkimin Europian, Johanes Hahn, mbi deklaratat e këtij të fundit kur tha se artikulimet për “Shqipërinë e Madhe” janë të papranueshme. Kreu i shtetit të Kosovës, ka thënë se qëndrimet e Hahn vërtetojnë se BE-ja është pa lidership dhe vizion.

“Komisioneri Hahn, i prekur nga shqetësimet e Serbisë, paska shprehur zhgënjimin e tij për deklaratat që gjoja përfshijnë tendencat për krijimin e Shqipërisë së Madhe.

Për më tepër, ai paska shtuar se BE-së nuk mund t’i bëhet presion me deklarata të tilla. Fatkeqësisht, një deklaratë e tillë e një komisioneri të BE-së dëshmon saktësisht atë që e kam thënë shumë herë deri më tash, se BE-ja ka mungesë të lidershipit dhe vizionit për konkretizimin e perspektivës evropiane për Kosovën”, është shprehur Presidenti Thaçi.

Ai flet për diskriminim të qytetarëve kosovarë, ndërsa Serbia nga ana tjetër po realizon projetkin e “Serbisë së Madhe” nën hundën e BE-së.

“Kjo qasje dëshmon se BE-së, në rastin më të mirë, nuk i bëhet vonë kurrë për Kosovën. Ndërsa, në rastin më të keq, as që do t’ia dijë fare. Diskriminimi dhe izolimi i qytetarëve tanë sot, flet shumë më tepër se deklaratat monotone të disa zyrtarëve të BE-së që përsëriten që nga viti 2000.

Projekti i Shqipërisë së Madhe është produkt i propagandës së Serbisë për të realizuar projektin e Serbisë së Madhe, i cili tashmë pothuajse funksionon nën hundën e BE-së”, ka deklaruar kreu i shtetit të Kosovës.

Pak ditë më parë, edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një intervistë për “Poilitico”, tha se nëse BE e lë jashtë vëmendjes Ballkanin, bashkimi i Shqipërisë me Kosovën është një opsion i mundur. /k.k/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd