Transmetuar më 24-04-2017, 10:40

“Kërkimet dhe grabitjet ecin paralelisht dhe bëheshin ditën për diell. Kërkime që ishin grabitje dhe grabitje që dukeshin si kërkime, ndërkohë që askush nuk e vinte ujin në zjarr për vite të tëra”.

Është kjo deklarata e bërë ditën e sotme e Kryeministrit Edi Rama, nga parku arkeologjik i Apollonisë në Fier, ku inspektoi rikonstruksionet e bëra.

Nga aty, kreu i qeverisë tha se investimet në kulturë shihen si investime luksi, por sipas tij e kundërta është e vërtetë.

“Çdo monument kulture i restauruar është rritje ekonomike, rritje e mirëqenies dhe gjithë rrjeti i monumenteve të kulturës, të cilën Shqipëria e ka ende shumë të pasur, është në fakt një rrjet më vete, për të fuqizuar ekonominë dhe mirëqenien, duke rritur edhe punësimin”, u shpreh Rama.

Sipas tij, turizmi ka si komponent themelor të vetin, trashëgiminë kulturore dhe rritja e numrit të njerëzve që frekuentojnë zonat e trashëgimisë kulturore është drejtpërdrejtë rritje e konsumit në ato zona, rritje kapaciteteve hotelerike dhe rritje punësimi, së bashku me rritjen e të ardhurave.

Në këtë drejtim tha se në janar 2016 nisi projekti që sot është i përfunduar, por vetëm faza e parë, duke shtuar se më tej do jetë faza e dytë e infrastrukturës përreth, në mënyrë që të vizitohet lirisht Apollonia. /a.y/noa.al