
Partia Socialiste ka paralajmëruar sot Partinë Demokratike se kërcënimet për bllokimin e rrugëve dhe bojkotin e zgjedhjeve janë një rrugë e rrezikshme që çon vendin drejt dhunës, pikërisht si në vitin 1997.
Partia kryesore e mazhorances tha se Basha nuk mund të bëjë si i pafajshëm ndërkohë që pak ditë më parë bënte thirrje për thyerje dritaresh.
“Ai që bënte thirrje vetëm pak ditë më parë për të thyer dritaret e për të shpuar gomat, nuk mund të pretendojë krejt papritur e pakujtuar se është thjesht një qengj i pafajshëm", – thuhet në deklaratën e PS.
"Çadra e Bashës, – vijon deklarata, – e ka vonuar mjaft tashmë zbatimin e Reformës në Drejtësi dhe rrezikon ta nxjerrë Shqipërinë nga rruga drejt BE-së".
"Kërcënimet e tij për bllokimin e rrugëve dhe bojkotin e zgjedhjeve janë një rrugë e rrezikshme që na çon pashmangshmërisht vetëm drejt dhunës, pikërisht ashtu si në 1997-n”, vazhdon deklarata e PS.
Më tej theksohet se PS nuk do ta lejojë PD-në t’u marrë peng të ardhmen shqiptarëve. Sipas saj në 18 Qershor, qytetarët do të jenë të lirë të shprehin vullnetin për zgjedhjen e tyre. /b.l/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





