
Partia Demokratike ka gjetur një tjetër mënyrë për të ironizuar mazhorancën në procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri të Republikës.
Katër të rinj të PD-së me maska të ish-deputetëve Arben Ndoka, Armando Prenga e Mark Frroku si dhe të ish-kryebashkiakut të Kavajës Elvis Rroshi, demonstrohen nga aktivistët opozitarë si persona që kanë shpallur kandidaturën për President.
Sekretari për aksionin qytetar në PD, Ervin Salianji ka publikuar videon ku të katër “kandidatët” japin arsyet e kandidimit të tyre dhe pse mund të jenë të duhurit për këtë post.
Ata thonë se i përmbushin kriteret, për shkak të të kaluarës së tyre të lidhur me krimin dhe mungesës së kandidatëve zyrtarë.
“Jam këtu sepse dua të kandidoj për President pasi i plotësoj të gjitha kushtet. Duke parë se nuk ka kandidatë zyrtarë deri tani kam vendosur të kandidoj dhe unë”, thotë i riu me maskën e Arben Ndokës. /b.l/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





