Transmetuar më 22-04-2017, 12:28

Kreu i PD-së, Lulzim Basha është shprehur sot se e kanë kthyer postin e presidentit në një “viç” në tregun e gjësë së gjallë, me anë të të cilit po kërkojnë që të joshë opozitën dhe opozitarët që të braktisin kauzën e tyre. Basha tha se opozita nuk pranon asnjë pazar politik në kurriz të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme me postin e Presidentit.

“Kanë nxjerrë postin e Presidentit si një viç në tregun e gjësë të gjallë. E kanë nxjerrë në pazar për të joshur dhe mëkuar politikën opozitare që të braktisë lëvizjen popullore dhe fatet e qytetarëve. Dje e kanë marrë përgjigjen: opozita nuk kërkon dhe pranon pazar politik në kurriz të zgjedhjeve me postin e Presidentit të Republikës. Presidenti i Republikës me konceptin e Republikës së re i takon popullit dhe do të zgjidhet nga populli me votë direkte”, u shpreh Basha.

Më tej kreu i opozitës përsëriti thirrjen drejtuar ambasadorit amerikan Donald Lu për t’i hequr vizën amerikane kryeministrit Edi Rama. “Është koha ti përsëris ambasadorit amerikan. Hiqi vizën amerikane kryeministrit Rama sepse është faktuar si shkelës përmes donacionit ilegal në fushatën e presidentit”, tha Basha.

Basha ka cilësuar si të vetmen arritje të kryeministrit kanabizimin dhe kriminalizimin e Shqipërisë dhe sipas tij shanset për një jetë më të mirë kanë shkuar në minus. Këto janë arsyet pse republika e vjetër dëshiron të shkatërrojë zgjedhjet e ardhshme.

“Ata e dinë se me këtë varfëri totale që kanë shkatërruar Shqipërinë, me zgjedhje të lira dhe të ndershme, gjykimi popullor do të jetë i pamëshirshëm për këtë kastë me në krye Ramën. Ndaj republika e vjetër që është komploti kundër shqiptar, republika e vjetër po bën gjithçka për të mbajtur në këmbë këtë klikë të korruptuar dhe kërkon me çdo kusht të prishë zgjedhjet e ardhshme, forca vetme që mund ta ndryshojë këtë jeni ju, anëtarët e kësaj lëvizjeje të madhe popullore që lindi më 18 shkurt dhe ju jeni mundësia e artë për ta çmontuar në themel”, deklaroi Basha.

Në lidhje me vetting-un, kreu i PD-së u shpreh: “Asnjë shtyrje për vetting-un. Menjëherë pas paktit kombëtar për qeverinë teknike, jemi gati për vetting-un dhe t’i hapim rrugë gjyqtarëve dhe prokurorëve të pavarur të bëjnë punën e tyre në bazë të ligjit dhe jo në bazë të Maliqit”. /b.l/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd