
Kryeministri Edi Rama, në një takim me votuesit e rinj në Gjirokastër, deklaroi se “vota e 18 qershorit është e rëndësishme sepse vendoset si do të jetë Shqipëria e gjeneratës tjetër”.
“Çdo shqiptar e ndjen domosdoshmërinë për të shembur murin e padrejtësisë. Gjykatat e këtij vendi janë një pazar ku të drejtat e njerëzve tregtohen si të ishin gjë e gjallë. Nëse duam të rrisim ekonominë dhe punësimin, duhet të pushojmë nga puna gjykatësit e korruptuar. Ata pengojnë vënien në vend të drejtës së pronës. Janë ata armiku numër 1 i Partisë Socialiste”, tha Rama.
Kryeministri shtoi se “vota është një ndeshje mes të ardhmes që duam dhe të shkuarës që nuk duam kurrë të rikthehet”.
Kreu i qeverisë ka përsëritur sërish akuzat ndaj opozitës se ndodhet në çadër sepse nuk do drejtësinë dhe nuk do të ndëshkohen gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar. Madje sipas Ramës këta të fundit janë të lidhur me ata që janë ngujuar në çadër si mishi me thoin.
Rama tha se me këta armiq ne do të luftojmë dhe nuk do të tërhiqemi përpara asnjë çadre, asnjë forme presioni, kërcënimi dhe shantazhi. “Nuk do të tërhiqemi jo vetëm përpara çadrës, por as përpara presioneve e shantazheve”, u shpreh Rama. /b.l/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





