


Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ishte i ftuar pak ditë më parë në Vitoria-Gasteiz të Spanjës, ku edhe mbajti një ligjëratë në eventin TEDx, rrjeti ndërkombëtar më prestigjioz i folësve publikë, për të prezantuar modelin e suksesshëm të ndryshimit që ka pësuar kryeqyteti shqiptar, në këto dy vite, dhe se si fëmijët janë protagonistët kryesorë dhe fuqia e këtij transformimi.
Prezantimi i tij me titull “Superheronjtë urbanë: Një qytet i transformuar nga fëmijët”, i cili u prit me duartrokitje nga të pranishmit, u përqendrua në nevojën që kishte Tirana për të ndryshuar për shkak të vështirësive, të cilat kërkonin zgjidhje të menjëhershme si trafiku, ndotja, ndërtimet e paligjshme, mungesa e çerdheve dhe e kopshteve etj, dhe se si dëshira e fëmijëve për ndryshim ishte energjia që e çoi përpara transformimin e Tiranës.
“Kur ne u zgjodhëm për të drejtuar, ishte shumë emocionuese që pasi kishim drejtuar një fushatë shumë argëtuese, plot me energji pozitive, erdhi dita e parë e punës. Po tani çfarë do të bëjmë, nga do t’ia nisim? Kur je duke drejtuar një qytet, të gjithë përpiqen të të japin mendje sesi mund të bëhen gjërat, por nëse ti nuk ke miliarda euro, nuk je anëtar i Bashkimit Europian, nuk ke mbështetje nga jashtë, nga t’ia nisësh?”, tha Veliaj, duke nënvizuar se situata u përballua falë këmbënguljes për t’i shkuar deri në fund nismave dhe mbështetjes së pakufishme të fëmijëve.
Kreu i Bashkisë solli në vëmendje disa shembuj të suksesshëm që sollën ndryshim të dukshëm në kryeqytet, qoftë në infrastrukturë, ashtu edhe në ofrimin e shërbimeve më cilësore. Rikonstruksioni i kopshteve dhe çerdheve, të cilat ishin në një gjendje të mjerueshme në vitin 2015, ishte një nga nismat e para të Bashkisë së Tiranës që prodhoi energji pozitive, që fëmijët të rriteshin në mjedise komode.
Pas suksesit të kësaj nisme, Bashkia shkoi edhe më tej, duke e konsideruar lirimin e hapësirave të zëna si një mision për t’ua kthyer ato fëmijëve. “Kështu projektuam një park kombëtar lodrash dhe thamë se do të ndërtojmë aty parkun më të mirë të lodrave në të gjithë Europën Lindore. Është e habitshme rezistenca që u bë për ta penguar këtë. Në 100 ditët e ndërtimit të këtij parku lodrash, patëm 78 protesta të dhunshme. Por, urdhëri im ishte i qartë: Çdo ditë ata shkatërrojnë, çdo ditë ne ndërtojmë”, tha Veliaj, duke iu referuar këndit të lojërave te Liqeni Artificial.
Veliaj u shpreh se fëmijët u bënë avokatët më të mirë të punëve të qytetit dhe përqafuan menjëherë edhe dy nismat e tjera të bashkisë, si “Dita pa makina” dhe ajo e “diferencimit të mbetjeve që në burim”. Kështu, erdhi vendimi për të hequr të gjitha makinat nga zemra e qytetit, duke e shndërruar gjysmën e tij në një shesh të hapur për fëmijët, por edhe në një pyll me pemë për t’u çlodhur. Kryetari i Bashkisë e cilësoi magjepsëse forcën e ndryshimit që vjen nga fëmijët dhe kjo ka ndikuar direkt në transformimin e qytetit, i cili sot është më i jetueshëm. /b.l/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





