Transmetuar më 21-04-2017, 12:41

Ndërkohë që dy raundet e parë për zgjedhjen e Presidentit të ri u dogjën për shkak të mungesës së një kandidature, kreu i opozitës Lulzim Basha, i cili bashkë me partinë që drejton dhe aleatët e djathtë ndodhen në protestë prej dy muajsh, vjen me propozim i ri.

“Të ndryshojmë Kushtetutën. Presidenti ta zgjedhë populli”, është kjo deklarata e bërë prej tij ditën e sotme nga çadra e protestës.

Ai tha se opozita është ftuar këtë javë për zgjedhjen e Presidentit duke i kërkuar konsensus, por edhe duke kujtuar se votat i kanë.

“Ne i kemi paret, po hajde ta blejmë bashkë. Do blejmë ndonjë viç në treg? I kujt është Presidenti? Është i Ilir Metës, i Lul Bashës? I kujt është? Atëherë oferta ime është kjo, të zgjedhim President nga populli”, u shpreh Lulzim Basha.

Sipas tij, meqë çështja e Presidentit po shtrohet në tavolinë dhe me që kërkohet kontributi i opozitës, opozita tha ai jep “një dhe vetëm një ofertë për çështjen e Presidentit të Republikës: të ndryshojmë Kushtetutën, ta zgjedhë populli shqiptar”.

Në vijim ai u ndal në zgjedhjet e 18 qershorit, për të cilat tha se nuk do të mbahen.

“Zgjedhje pa opozitën nuk ka dhe nuk ka për të patur. Çdo përpjekje për dialog duhet të ketë parasysh se mbi standarde. Nuk ka asnjë tërheqje. Rruga për një pakt kombëtar për një Shqipëri evropiane mbetet e hapur edhe për partitë e Republikës së vjetër”, deklaroi Basha.

Kujtojmë se zgjedhja e kreut të shtetit sipas Kushtetutës mund të bëhet me pesë raunde, ku në tre raundet e para duhet një shumicë me 3/5 e votave ose 84 të tilla, ndërsa dy raundet e tjera me shumicë të thjeshtë prej 71 votash. Në rast se Presidenti nuk zgjidhet në asnjërën nga raundet, bëhet shpërndarja e Parlamentit dhe shkohet në zgjedhje brenda 45 ditësh.

Presidentit aktual Bujar Nishani i mbaron mandati më 24 korrik. /a.y/noa.al