Transmetuar më 19-04-2017, 13:00

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në mbledhjen e ditës së sotme miratoi ngritjen e Bordit të Monitorimit të Medias për monitorimin e fushatës zgjedhore në radion dhe televizionin publik dhe ato private.

KQZ vendosi që anëtar të BMM të jenë Muhamed Veliu, Basir Çollaku, Maklen Misha, Flogert Muça, Qamil Xhani, Rexhep Polisi dhe Artan Cena.

Në vijim u miratua projektvendimi “Për caktimin e Vendit të Numërimit të Votave të KZAZ-së nr. 42, për zgjedhjet e pjesshme për Kryetarin e Bashkisë Kavajë, qarku Tiranë, të datës 7 maj 2017”.

KQZ vendosi caktimin e Vendit të Numërimit të Votave të KZAZ-së nr. 42, në palestrën e Shkollës 9-vjeçare, “Tre Dëshmorët”, Kavajë.

Po ashtu u miratua projektvendimi “Për miratimin e Manualit dhe Fletores së punës të Komisionit të Qendrës së Votimit, për zgjedhjet për Kuvendin, të datës 18 qershor 2017” dhe “Për miratimin e Manualit dhe Fletores së punës të Komisionit të Qendrës së Votimit, për zgjedhjet për Kryetarin e Bashkisë Kavajë, të datës 7 maj 2017”.​

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd