
Dervis Arapi, djali i Agim Arapit, i cili u rrah për vdekje pak ditë më parë në Durrës, ka rrëfyer momentet tragjike kur pa të atin në gjendje të rënduar. Për “Durrëslajm”, ai ka deklaruar se kërkon vetëm drejtësi, dhe se personave që kryen krimin nuk do t’u ndodhë asgjë nëse dalin nga burgu.
“Mendova po më rrahin babën. Kur erdha, gjeta policin që po i bënte mesazh kardiak. Ishte i gjithi i shpërfytyruar dhe e humba toruan. Po i ngrija këmbët, sepse mendova se ndoshta po përmendej. Ne duam që ata që bënë këtë të vuajnë dënimin. Është mesazh që ata që bëjnë të tilla vepra barbare të marrin dënim nga drejtësia. Babai vdiq barbarisht i rrahur, e nuk vdiq nga zemra. Më vjen keq që iku në atë mënyrë, se babai im nuk ishte kriminel. Ata, nëse dalin nga burgu, nuk do t’u ndodhë gjë. Shteti duhet të tregojë që është shtet dhe t’i dënojë” tha ndër të tjera djali i vetëm i familjes Arapi.
Agim Arapi u qëllua barbarisht nga Kujtim e Kostandin Ekonomi mbrëmjen e 11 Prillit. Nga pamjet filmike të vëna në dispozicion nga familja Arapi shihet qartë edhe prania e dhëndrit të tyre, Jurgen Kurti, por 23 vjeçari u la i lirë nga policia e Durrësit.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





