
Pas miratimit të ngritjes së dy komisioneve të reja ad-hoc të Vettingut, kryeministri Edi Rama gjatë një prononcimi për gazetarët i tha opozitës se është ngujuar në çadër për shkak të frikës nga drejtësia.
“Ata që janë ngujuar në çadër, janë ty nga frika nga drejtësia. Refuzimi i vazhdueshëm për të mos u bërë pjesë e një procesi historik që përkojnë me një aspiratë çerekshekullore të këtij populli për të çliruar drejtësinë nga kthetrat e gjykatësve të korruptuar dhe për ta kthyer në drejtësi evropiane, është një njollë e zezë turpi që partia që lindi me moton “E duam Shqipërinë si e gjithë Evropa”, po i vë vetes”, tha Rama.
Më tej kryeministri u shpreh se një gjë është shumë e qartë, që mos kryerja e procesit të vettingut cënon rëndë procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, vonon uljen në tryezën për të negociuar anëtarësimin.
“PD është gati për të na ndarë për së gjalli nga Evropa ku duam të jemi pjesë vetëm për t’u shmangur ballafaqimit me drejtësinë të atyre që kanë kosure për të larë në një shtet të së drejtës. Vettingu mund të vonohet, por pastrimi i pallatit të drejtësisë nuk ndalohet dot. Vendosja e të gjithëve përpara drejtësisë si qytetarë të barabartë nuk ndalohet dot”, tha Rama.
Në fund të fjalës së tij Rama deklaroi së do bëjnë çdo përpjekje për të nxitur zgjidhjen dhe sipas tij për të kërkuar hapësirën për dialogun.
"Jemi të inkurajuar nga fakti që vendimi ynë për t’iu drejtuar PPE, si një familje ku bën pjesë PD, për të lehtësuar komunikimin me PD është dëgjuar pozitivisht dhe shpresojmë që t’u jepet mundësia PPE ta ndihmojë PD-në. Nëse PD sillet me PPE siç janë sjellë deri tani me të gjitha përpjekjet tona për dialog, do jetë mision i pamundur edhe për vetë PPE. Nuk jemi në një krizë politike, por në një krizë nervore të PD”, deklaroi Rama. /b.l/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





