
Pak orë pas ngjarjes së rëndë ku një 59 vjeçar tentoi të vetëvritej buzë liqenit, të tjera detaje janë zbardhur nga policia dhe shkaqet që dyshohet se e kanë detyruar të moshuarin të ndërmarrë këtë akt të rëndë për jetën.
Ngjarja ka ndodhur në lagjen nr.1, buzë liqenit, ku 59 vjeçari Vladimir Fezollari, banues në Pogradec, i ndodhur në kushte depresioni, ka tentuar të vetëvritet duke qëlluar veten me një armë zjarri tip pistoletë e markës "Ekol", të cilën e posedonte pa lejen e organeve kompetente.
Si pasojë e plagëve të marra i plagosuri është dërguar për mjekim të specializuar në Tiranë, pasi ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Në vendngjarje në cilësinë e provës materiale, janë sekuestruar arma tip pistoletë me të cilën ka qëlluar veten, 2 gëzhoja, si dhe një letër e shkruar nga ana e tij. Në letrën e lamtumirës ai shkruan se prej kohësh gjendja e tij ishte rënduar dhe se nuk do t’i bëhet barrë askujt. Ai thotë se vendimin e ka marrë vetë dhe se nuk ka faj familja e tij.
“Prej kohësh gjendja ime psikologjike nuk më le të jetoj i qetë. Jam shumë i rënduar dhe më mirë të shkoj në botën tjetër sepse po bëhem barrë për të gjithë. Kur të lexoni letrën nuk dua të fajësoni askënd. As familjen time, as fëmijët e mi. Ata nuk kanë faj për asgjë. Kam vendosur vet dhe fajtori jam unë. Më falni për çdo shqetësim familja ime e shenjtë. Më falni për këtë që po i bëj vetes por është më e mira për mua”, thuhej në letrën e lamtumirës.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec, për veprat “Shkaktimi i vetëvrasjes, mbetur në tentativë”; “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”. /b.l/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





