
Nënkryetari i LSI, Luan Rama, në një konferencë për shtyp të mbajtur paraditen e së martës, ka konfirmuar propozimet e kësaj partie për anëtarët e komisioneve të vettingut, që pritet të votohen pasdite në parlament.
“Për komisionin e parë, që përbëhet nga 12 anëtarë, 6 nga shumica dhe 6 nga pakica, LSI ka propozuar deputetët Luan Rama dhe Silva Caka. Ndërsa për komisionin 6-anëtarësh, 3 nga pozita dhe 3 nga opozita, kemi propozuar deputetin Vangjel Tavo”, ka deklaruar Rama.
Rama u ka bërë thirrje të gjithë aktorëve politikë që të përfshihen në këtë proces, duke iu drejtuar në veçanti opozitës, “nga bojkoti i të cilës nuk është bërë e mundur të funksionojnë institucionet e vettingut”.
“Ndaj dua të ritheksoj rëndësinë e madhe që merr dialogu politik për kapërcimin e kësaj situate, për të realizuar reformën zgjedhore dhe atë në drejtësi, që janë të bllokuara”, ka thënë Rama.
Duke iu përgjigjur interesit të mediave për situatën politike në vend, nënkryetari i LSI ka vlerësuar se duhet të dialogohet për të kapërcyer krizën dhe për garantimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme.
"Problemi i madh janë zgjedhjet, detyrimi i madh që ka e gjithë klasa politike, veçanërisht mazhoranca për shkak të përgjegjësive që ka për të qeverisur dhe realizuar zgjedhje sipas standardeve është dialogu me opozitën, përfshirja e saj në zgjedhje për të realizuar më në fund pas 27 vitesh pas një sage problematike me zgjedhje të kontestuara, zgjedhje të lira, të barabarta, transparente ku secili aktor të shpalosë alternativën e vetë. T’i largohemi marrëzisë, ti thërrasim arsyes dhe përgjegjësisë”, shtoi Rama.
Ndërsa i pyetur nëse do të takohen sërish aleatët Rama e Meta, Luan Rama thotë se gjithçka do të bëhet e ditur në kohën e duhur. "Do mësoni çdo gjë në kohën e duhur dhe në momentin e duhur", tha ai. /b.l/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





