Transmetuar më 17-04-2017, 14:44

Dy efektivë të policisë së Shkodrës janë pezulluar nga detyra dhe 4 kanë marrë masë të rëndë disiplinore, pasi një i ndaluar arriti t’u ikë brenda mjediseve të komisariatit të policisë.

Grupi i gatshëm kishte bërë shoqërimin e shtetasit M. Doçi 24 vjeç në polici për ta marrë në pyetje lidhur me një ngjarje të ndodhur mbrëmjen e së shtunës në lagjen “Skenderbeg”, por sapo ky i fundit është ulur nga automjeti i policisë, ka arritur t’u largohet me shpejtësi këtyre të fundit në drejtim të paditur.

Menjëherë më pas një mbledhje urgjente është zhvilluar nga drejtuesit e lartë të policisë së Shkodrës. Ata morën masa ndaj shefave në detyrë duke bërë pezullimin e tyre, si dhe të efektivëve që e shoqëronin të ndaluarin.

Ngjarja ka ndodhur në lagjen Tom Kola, në vendin e  quajtur “Dugajt e Reja”, ku është dëmtuar xhami i parë si dhe është qëlluar me armë zjarri pistolete xhami i pasëm i automjetit tip Benz, me targë AA487AN, i cili ka qenë i parkuar dhe është në pronësi të shtetasit N. L, 51 vjeç, banues në lagjen Skëderbeg.

Nga veprimet e para proceduriale në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 5 gëzhoja model 54 kalibri 7.62 mm, automjeti i dëmtuar  dhe automjeti AA740GN, që është në përdorim nga shtetasi Zef Sokoli dhe dyshohet se është përdorur nga autorët e ngjarjes.

Në lidhje me këtë rast si autorë të dyshuar u  arrestuan Zef Sokoli, 24 vjeç, Valentin Ndreu, 23 vjeç, të dy banues në fshatin Grudë e Re, për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit“, “Prishje e qetësisë publike”, “Kanosje”, “Shkatërrim Prone “, kryer në bashkëpunim.

Gjithashtu u bë shpallja në kërkim e shtetasit K. Doçi, 24 vjeç,  banues në lagjen “Skenderbeg“,  Shkodër, për veprat penale të “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” , “Prishje e qetësisë publike” , “Kanosje”, “Shkatërrim Prone“ e kryer në bashkëpunim dhe “Kundërshtimit të punonjësit të rendit publik”.

Ky shtetas  ka qenë në statusin e të shoqëruarit dhe  ka arritur të largohet forcërisht nga ambientet e Komisariatit të Policisë Shkodër. Nga ana e Policisë po vijon puna për kapjen e tij.

Ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta pasi autorët e dyshuar kanë debatuar me dy persona të paidentifikuar ende. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprime te mëtejshme./b.l./noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd