
Ndërsa prej kohësh është përfshirë në fushatë në terren, deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, njëherësh bashkëshorte e kryeparlamentarit Ilir Meta, shigjeton Kryeministrin Edi Rama.
“Sa herë që Rama sulmon Bashën, 10 vende pune që do të hapeshin në Shqipëri ikin diku tjetër. Gjithashtu, çdo sulm i Bashës drejtuar Ramës, është i barabartë me 10 vende pune më pak”, deklaroi Kryemadhi në një takim elektoral gjatë mbrëmjes së të shtunës.
Deklarata e saj u dha gjatë një takimi me të rinjtë e Gradishtit, ku shprehu shqetësim prej konfliktit politik dhe impaktit të drejtpërdrejtë që ka te njerëzit.
Sipas saj, çdo ditë që ka konflikt politik është baraz me 100 vende pune më pak, sepse investitorët që duan te vijnë e te investojnë në Shqipëri i frikëson kaosi, kriza dhe konflikti politik.
“Jam shumë e shqetësuar për demokracinë e Shqipërisë, më shumë se kurrë jam e shqetësuar për impaktin e konfliktit politik ne jetët e familjeve shqiptare dhe lidhja direkte e tij me mbylljen e vendeve te punës dhe humbjen e mundësive për të hapur vende te reja pune”, u shpreh Kryemadhi. /a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





