
Kreu i LSI-së duke folur para gazetarëve pas përfundimit të takimit për më shumë se 90 minuta me kryeministrin Edi Rama deklaroi se kanë vendosur t’i drejtohen zyrtarisht Partive Popullore Europiane që të angazhohen në dialogun me opozitën, pasi kjo e fundit ka mungesë besimi.
“Qëllimi kryesor i këtij takimi ishte rritja e përpjekjeve tona për të garantuar paprekshmërinë e votës së qytetarëve shqiptarë si themeli i një shoqërie europiane. Me këtë rast vullneti për të nisur një dialog pa kushte që tani me opozitën dhe drejtuesit e saj. Duke parë vështirësinë e opozitës për të pasur besim, dhe kjo është arsyeja pse dialogu ende nuk ka nisur, kemi vendosur që ti drejtohemi zyrtarisht PPE ku dhe PD është anëtare që të asistojë sa më shpejtë të jetë e mundur në këtë dialog në mënyrë që ky ngërç të marrë fund sa më shpejt dhe vendi të shkojë drejt zgjedhjeve të lira, të qeta, demoratike”, tha Meta.
Nga çadra, kreu i PD-së Lulzim Basha i është përgjigjur kërkesës së PS-LSI, për të ftuar në dialog PPE-në se “pa qeveri teknike nuk ka zgjedhje në Shqipëri”.
“Zgjedhje të lira e të ndershme do të ketë vetëm me qeveri teknike. Meqë këta, PS dhe LSI i paskan zgjidhur punët me njëri-tjetrin dhe paskan dalë me platformë që do i kërkojnë PPE të ndihmojë negociatat, po u them kërkojini ku të doni, pa një qeveri teknike nuk ka zgjedhje në Shqipëri. Prandaj lërini demagogjitë, zgjidhni njëherë punët me socialistët tuaj se një pjesë e dinë që jeni të inkriminuar, se me PPE ka kush flet”, tha Basha.
Më tej ai shtoi se për dialogun ka një objektiv të rakorduar prej 9 ditësh për një qeveri teknike. Ai i është përgjigjur Metës se nuk është një situatë mosbesimi.
“Dialogu ka një objektiv të rakodruar tash nëntë ditë, qeveri teknike dhe mandati i qeverisë teknike për zgjedhje të lira e të ndershme. Basha nuk është në situatë mosbesimi, po jeni ju me njëri-tjetrin. Ju keni një hapësirë, të uleni bashkë me ne për të përcaktuar qeveri teknike me mbështetje të gjerë politike, rrugë tjetër nuk ka e nuk ka për të pasur”, theksoi Basha. /b.l/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





