Transmetuar më 14-04-2017, 17:55

Presidenti Bujar Nishani priti këtë të premte në një takim në zyrën e tij, Senatorin amerikan, John McCain. Situata në Ballkan ishte në fokus të bisedës mes dy zyrtarëve. Në faqen e presidencës theksohet se McCain vlerësoi kontributin e Shqipërisë në konsolidimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, paqes dhe stabilitetit në rajon e më gjerë.

Nga ana e tij, kreu i shtetit siguroi zyrtarin amerikan se Shqipëria do të vijojë të përmbushë përgjegjësitë e saj ushtarake dhe financiare në Aleancën e Atlantikut të Veriut (NATO).

 “Jemi krenarë që jemi aleatë besnikë, të denjë e të sinqertë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nga mbështetja e të cilave frymëzohemi edhe për lirinë e demokracinë tonë.” – theksoi Presidenti Nishani.

Ndërkohë, faqja e presidencës nuk ka publikuar asnjë informacion nëse presidenti Nishani dhe Senatori McCain kanë diskutuar për aktualitetin dhe krizën politike në vend.

Vizita e McCain në Shqipëri, është pjesë e një turi ballkanik që po zhvillon ish-kandidati për president të SHBA-ve, John McCain. /k.k/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd