Transmetuar më 14-04-2017, 13:57

Dalin pamjet e autorit që ekzekutoi ish- kryepolicin Artan Cuku. Në videon që noa.al sjell më poshtë, jepen pamjet e autorit të krimit duke u larguar.

Një person i cili nga fizionomia duket një djalë në moshë të re, mban një kapele të verdhë në kokë, pantallona dhe xhup blu, ndërsa vrapon për t’u larguar.

Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për të bërë të mundur identifikimin e autorit të dyshuar i cili mbrëmjen e 8 prillit, rreth orës 20:11, në rrugën e “Kosovarëve”, në hyrje të pallatit “Melros”, qëlloi me armë zjarri pistoletë, ish- efektivin Cuku.

Më tej apelohen qytetarët që për çdo informacion që mund të kenë për të bërë të mundur identifikimin e tij, të kontaktojnë në numrin e telefonit 0694110299.

Policia e Tiranës, siguron ruajtjen e anonimatit dhe konfidencialitetin ndaj tyre. Kujtojmë se policia ka vendosur 3 milionë lekë të reja shpërblim për çdo informacion të vlefshëm që do të çonte në kapjen  e atentatorëve të ish-kryepolicit Artan Cuku.

Cuku u qëllua në hyrjen e pallatit me plumb në kokë, teksa po futej për në ashensor.

Më herët 42-vjeçari kishte qenë i ulur në një lokal aty pranë.

Duke përfituar nga errësira ka arritur të largohet në rrugicat dytësore, të cilat lidhin me stadiumin “Selman Stërmasi” dhe sheshin “Willson”.

Artan Cuku lindi më 25 janar 1975, në Lurë të Dibrës dhe ishte baba i dy fëmijëve.

I ndjeri ka mbajtur postin e drejtorit të policisë së Vlorës në periudhën 2012-2013.

Më herët, viktima i atentatit, Artan Cuku ka mbajtur edhe detyrën e nëndrejtorit të policisë për Krimet e Rënda në Drejtorinë e Policisë Tiranë në periudhën 2009-2011. /a.y/noa.al 

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd