Transmetuar më 14-04-2017, 12:30

Nga çadra e protestës ku opozita ndodhet prej afro dy muajsh, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha i’u përgjigj ftesës së sotme të Kryeministrit Edi Rama.

Ai tha se kreu i qeverisë ka tetë ditë që e ka numrin e negociatorit të tij, duke i kërkuar që të bëhet burrë, të ndahet nga krimi dhe të shkojë në dialog të vërtetë.

“Nuk kemi kërkuar pushtet në tavolinë, duam që pushtetin ta kenë qytetarët shqiptarë. Ndaj qeverinë nga krimi, në mënyrë që një qeveri teknike t’i japë shqiptarëve të drejtën të zgjedhin me votë të lirë e të ndershme”, u shpreh Lulzim Basha.

Lidhur me deklaratat e Kryeministrit, i cili e shigjetoi duke thënë se po e kthen vendin në gazin e botës, madje i kërkoi të mos turpëronte Shqipërinë, Basha tha, “Nuk është momenti që të hiqesh si palaço. Bota nuk qesh me ne, por është e shqetësuar për ne”.

Sipas kreut të PD, një vend i NATO ka në krye një aleat të krimit të organizuar që nuk kontrollon dot as territorin e vet.

Në këtë linjë Basha shtoi se, Shqipëria nuk është në dorën e Partisë Socialiste, por në dorën e krimit të organizuar.

Duke denoncuar situatën me lëndën narkotike, kreu i Partisë Demokratike tha, “Je bërë turpi i Europës, e shndërrove Shqipërinë në Kolumbi për karrigen tënde”. /a.y/noa.al 

  

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd