








Kryeparlamentari Ilir Meta, doli ditën e sotme në krahë të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, për të përuruar punimet në rrugën e Zall Herrit.
Në fjalën e tij kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta, tha se puna që ka bërë Veliaj në këto dy vite ka qenë një punë e ndjeshme në të gjithë Tiranën.
“Jam shumë i gëzuar për punën që ai po bën për integrimin të të gjitha këtyre njësive administrative jashtë Bashkisë së vjetër të Tiranës në Bashkinë e re të Tiranës për këtë standart ri të urbanizimit, të integrimit dhe kjo është një gjë jashtëzakonisht pozitive, sepse i jep fund një harrese një diskriminimi dhe një mungese vëmendje në të kaluarën, dhe unë do të uroja që të gjithë kryetarët e bashkive të punojnë në këtë mënyrë, në mënyrë që kudo të ndihet ndryshimi”, u shpreh Meta.
Sipas tij shumë reforma nuk do ishin bërë nëse nuk do ishin bashkë. “Dikush më tha aty kur hymë tek ura se këtu ndahemi me Xhelal Mziun, ngaqë më tutje është Bashkia e Kamzës. Unë nuk e prisja kurrë këtë ide që po ndahemi. Këtu bashkohemi se prandaj është ura, i thashë, për të bashkuar. Të gjithë për bashkimin jemi, nuk ka asnjë për përçarje. Por ka shumë rëndësi edhe sesi flasim, sepse shqiptarët nuk janë edhe kaq modern, trendi si Lali Eri, janë pak tradicional, kemi një fjalë ne që jemi si malësor nga veriu apo jugu: “Fjala vret më shumë se plumbi”. Dhe ne fjalën e fundit e themi të parën. Jo, ne politikanët duhet të flasim me vepra, siç flet edhe kjo vepër sot dhe unë sot”, deklaroi Ilir Meta.
Nga ana e tij Veliaj tha se prania e Metës ditën e sotme, është dëshmi se “kur ne jemi bashkë bëjmë gjera që veç e veç janë të pamundura”.
Po ashtu ai shtoi se për koalicionin e madh mes PS dhe LSI nuk e di çfarë bëhet, ndërsa për koalicionin e Tiranës tha se funksionon shumë mirë.
“Këshilli Kombëtar i Territorit ku prapë si koalicion përfaqësohemi do të aprovojë planin e ri urbanistik të Tiranës që do të na sigurojë më shumë investime jo vetëm për Tiranën urbane, por sidomos për Tiranën rurale. Ky besoj se është një lajm i mirë ku prapë ky koalicion dhe në Shqipëri ne do ti japim një produkt të ri urbanizimit të ri që sjell, më shumë investime në fshat që do të transfomojë tërësisht mënyrën se si është konceptuar Tirana dhe do të krijohet më shumë punësim dhe më shumë mirëqenies”, tha Veliaj.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, inauguruan rrugën e re të Çekrezës në Njësinë Administrative Zall Herr. /a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





