Transmetuar më 14-04-2017, 08:42

Një ndalim, inat dhe më pas tragjedia. Një fëmijë 10 vjeç i dha fund jetës duke u hedhur nga kati i 19 i një pallati në Chongqing, të Kinës, pasi babai e kishte ndaluar që të shikonte televizor.

Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e 10 prillit rreth orës 19.00, kur vogëlushi me inicialet L.V., ishte ulur para televizorit për të parë programet e tij të preferuar pas kthimit nga shkolla.

Por duket se babait të tij nuk i ka pëlqyer dhe i kërkoi të fikte televizorin dhe të merrej me mësimet, shkruan noa.al.

Vogëlushi pa thënë asnjë fjalë, por dukshëm i inatosur, u mbyll në dhomën e tij dhe u hodh nga dritarja, duke rënë mbi një makinë të parkuar në rrugë.

Drejt tij rendën nxitimthi kalimtarë dhe familjarë për t’i ardhur në ndihmë, por i mituri kishte gjetur vdekjen e menjëhershme. Policia po heton lidhur me këtë ngjarje të rëndë dhe vetëm në mbyllje të hetimeve, prindërit mund t’i japin lamtumirën e fundit vogëlushit të tyre./a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd