Transmetuar më 13-04-2017, 13:49

Kreu i PS-së dhe qeverisë Edi Rama është shprehur se koha nuk pret dhe se është momenti për dialog. Rama ka folur për median jashtë sallës së Kuvendit, duke u shprehur se ka një nismë që të jetë presidenti për të mbledhur tryezën e partive për dialog. Rama deklaroi se dialogu politik është preferenca e parë e mazhorancës.

“Është e rëndësishme që ta kuptojmë të gjithë se përsa na takon, dialogu është preferenca jonë e parë. PD-ja nuk duhet të ketë frikë nga dialogu. As nga këmbimi i opinioneve që mund të sjellë progres. Është frikë e pajustifikueshme dhe në raport me publikun dhe zgjedhësit e PD, ndërkohë që shqetësimi im është se jemi në një situatë ku po rritet në mënyrë të ndjeshme vëmendja e partnerëve tanë jo për mirë, por se askush nuk e percepton dot se çfarë domethënë e gjithë kjo dhe gjithkush pret të bëjmë zgjedhje të lira në datën e caktuar nga Kushtetuta”, tha Rama.

Kreu i qeverisë shtoi se nuk bëhet fjalë për “krizë politike apo shoqërore, por për krizë të PD-së”. Pyetur nga gazetarët se për thirrjen e eurodeputetit Kukan, që “Meta, Rama e Basha të mbyllen në dhomë e të gjejnë zgjidhje, Rama u përgjigj: “I bie që dhoma të jetë me oxhak, unë nuk e vë këtë kusht, por jam gati të shkoj në çdo dhomë ku kreu i PD ndjehet në komoditetin e tij për dialog”.

Në lidhje me koalicionin, Rama tha se nuk ka shqetësim për “ecurinë e mëtejshme të një procesi bashkëpunimi e partneriteti”. “I takon këtij koalicioni dhe PS-LSI të përcaktojnë në këtë moment se kush është zgjedhja më e mirë e me vullnetin për tu hapur ndaj palëve të tjera për tu dhënë vendit një president sa më dinjitoz”, u shpreh Rama. /b.l/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd