
Deputeti, Tualant Balla deklaroi nga foltorja e Kuvendit se punimet në autostradën Tiranë-Elbasan do të mbarojnë më 31 tetor të këtij viti. Ai theksoi se ndonëse për këtë rrugë u pre shiriti dy herë për çështje elektorale, me të ka pasur abuzime.
Po ashtu ai bëri thirrje që para se të përfundojnë punimet në këtë aks, duhet së pari të dëmshpërblen pronarët e tokës, ndërsa nuk kurseu kritikat dhe për ministrin e Transporteve, Sokol Dervishaj se ende nuk është marrë me çështjen e kompensimit të pronarëve.
“Ne duhet të krijojmë një strukturë të posaçme për rrugët në Shqipëri. BE ka një qasje tjetër për prokurimet publike. Ne kemi nisur në gjithë këto vite shumë rrugë, një pjesë e tyre të lëna rrugëve sepse projekti gjeologjik çalon. Nuk mund të ndodh që në 4 vende të ndryshme në një aks 11 km që të ketë rrëshqitje të paparashikuara. Këto janë rrugë që u nisëm për përfitime elektorale. Këto rrugë kanë nevojë për audit.
KLSH ka kryer një audit për autostradën Tiranë-Elbasan, dhe duhet të qartësohen përgjegjësitë. Doja ti kërkoja zotit Dervishi, duket t’i japim një përgjigje banorëve të zonës ku kalon rruga. Në zonën e Gracenit janë dëmtuar basenet dhe kanalet vaditëse. Në 31 tetor shpresoj të mbarojmë rrugën në Elbasan, ky është një lajm i mirë. Por ende nuk janë dëmshpërblyer pronarët. Ky është një plagë e vjetër”, pohoi Balla.
Pas kësaj deklarate, Meta ka kërkuar që ministri Dervishi të japë sqarime. “Zoti Ministër, merr fjalën dhe jep sqarime”, tha Meta.
Në fjalën e tij ministri i Transporteve, Sokol Dervishaj ka dhënë sqarime, në lidhje me shtesën prej 35 milion dollarësh që është kërkuar nga kjo ministri për rrugën e Tiranë-Elbasan. Dervishaj ka theksuar se ishte e nevojshme kjo shumë, si dhe është rënë dakord me të gjitha institucionet e tjera në lidhje me proceduarat.
“Kërkon një shtesë prej 35 milion dollarësh, është dakortësuar nga të gjitha palët dhe nga Ministria e Financave. Dua të theksoj se ka ndodhur një aksident që ka shkaktuar vonesë në kohë dhe kosto në shtesë, dua të evidentojë se ka pasur që në fillim të këtij projekti studim jo të plotë gjeologjik. Rrëshqitja është rreth 10 km që kërkonte studime të plota.
Kjo është për shkak se në fillim ka pasur nxitim për ta përfunduar autostradën shpejt dhe që krijuan edhe problematikat e shfaqura. Kemi dhënë shpjegim, aty ku ka shkelje do ketë dhe masa por gjeja më e rëndësishme është të përfundojmë rrugën”, tha Dervishaj.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





