Transmetuar më 13-04-2017, 10:46

Kryetari i LSI-së, z. Ilir Meta, mori pjesë në një takim me anëtarësinë e Lëvizjes së Gruas për Integrim të Njësisë administrative 7 në Tiranë. Në fjalën e mbajtur gjatë këtij takimi, z. Meta, u shpreh se politika shqiptare ka nevojë për një transformim thelbësor që ka të bëjë me kulturën.

“Besojmë që politika shqiptare ka nevojë për një transformim thelbësor, që nuk ka të bëjë thjesht me individët dhe me njerëzit, por me kulturën e tyre. Kultura që ne duam është e një klase politike e një gjenerate politike e cila punon me përgjegjësi, punon në ekip. Synon të mirën publike dhe vë disa prioritete mbi egon individuale apo edhe partiake në interes të vendit, të komunitetit dhe të shoqërisë”, – deklaroi Meta.

Më tej Meta u shpreh i bindur se kur i jepet shansi një gruaje i jepet shans të gjithë familjes, sepse askush në familje nuk sakrifikon më shumë se gruaja.

“LSI-ja punon që t’u jap një shans të gjithëve, por në veçanti LSI-ja është e bindur se kur i jepet shansi një gruaje i jepet shans të gjithë familjes. Sepse paqja sociale fillon te familja dhe pastaj vazhdon në shoqëri dhe kudo. Në programin tonë, mbështetja dhe fuqizimi i gruas përfaqëson një prioritet të veçantë dhe të jashtëzakonshëm”, – tha Kryetari i LSI-së. /b.l/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd