Transmetuar më 12-04-2017, 17:55

Mbledhja e përbashkët e dy qeverive, të Tiranës dhe Prishtinës, do të mbahet në 24 prill. Lajmin e bëri të ditur ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, gjatë një takimi me homologun e tij kosovar, Enver Hoxhaj.

Bushati evidentoi përgatitjet që po bëhen në kuadrin e Takimit të katërt ndërqeveritar Shqipëri-Kosovë, i cili do të zhvillohet në Shqipëri më 24 prill 2017. Duke vënë në dukje arritjet e deritanishme, ai theksoi prioritetin e veçantë që po i kushtohet lehtësimit të mëtejshëm të procedurave për qarkullimin e lirë të mallrave, kapitalit, fuqisë punëtore, si dhe shtimit të investimeve mes dy vendeve tona.

“Koordinimi mes nesh ka qenë efikas për disa prej sfidave me të cilat përballet sot Shqipëria dhe Kosova, por edhe mjedisi i sigurisë në rajon, ku Shqipëria dhe Kosova kanë një kontribut të çmuar”, nënvizoi Bushati.

Edhe shefi i diplomacisë së Prishtinës, Enver Hoxhaj tha se përpos temave të diskutimit mes dy vendeve, fokusi ishte organizimi i këtij takimi.

“Qëllimi i takimit tonë është organizimi i mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, datën mund ta caktonim edhe më vonë, por mendojmë në Prishtinë që duhet të ketë një metodë të re të kësaj mbledhjeje. Nga janari 2014, kur vendosëm partneritetin strategjik, 200 milionë euro është shkëmbimi tregtar mes Kosovës dhe Shqipërisë, bashkëpunimi ekonomik është shumë i mirë, ka një listë të gjatë marrëveshjesh së nënshkruara në arsim, kulturë etj”, tha Hoxhaj.

Mbledhja e 24 prillit do të jetë e katërta që mbahet mes dy qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës, pas atyre të organizuara më herët në Prizren, Tiranë dhe Prishtinë. /b.l/noa.al/