






Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, thotë se në shtator to të nisë ndërtimi i 17 shkollave të tjera.
Veliaj ishte sot në shkollën 9-vjeçare “Ibrahim Brahja” në Sauk, ku përuroi mjediset e reja sportive të shkollës dhe deklaroi vëmendjen e bashkisë për investimet në infrastrukturën e shkollave, për të qenë gati në shtator.
“Kur të nisë shtatori, jo vetëm do të kemi katër shkolla të reja në Tiranë, por do të kemi nisur edhe ndërtimin e 17 të tjerave, e do të sigurohemi që të vëmë dorë në secilën prej shkollave ekzistuese, nga Shëngjergji deri në ish Bllok”, tha Veliaj.
Ai shtoi se Bashkia e Tiranës po i jep një vëmendje të veçantë krijimit të ambienteve të reja sportive nëpër shkollat e kryeqytetit, por edhe përmirësimit të infrastrukturës shkollore në zonat rurale.
Veliaj deklaroi se falë investimeve, kryeqyteti është transformuar duke i dhënë një rëndësi të veçantë edhe përmirësimit të infrastrukturës në zonat periferike.
Kryebashkiaku shtoi se investimet cilësore janë shprehja më e qartë e mbajtjes së premtimit përpara qytetarëve.
Veliaj u bëri thirrje të rinjve të fokusohen te puna, pasi vetëm në këtë mënyrë do të mund të ecin përpara.
“Kush punon shpërblehet dhe nuk ka rëndësi nga vjen, si e ke mbiemrin, sa i vogël është vendi yt dhe sa modeste është ekonomia jote. Një njeri që punon shpërblehet, ose në karrierë, ose në sport a në talent”, tha kreu i bashkisë.
“Ka sot një betejë të vërtetë në Shqipëri, ndonjëherë edhe politike, por në thelb të betejës është puna apo llafet; më vjen mirë që është puna ajo ku jemi fokusuar dhe në qoftë se edhe brezin e ri e fokusojmë te puna, është mënyra më e mirë si të ecim përpara”, tha kryebashkiaku Veliaj.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





