Transmetuar më 12-04-2017, 12:51

Zbardhen të tjera detaje nga hetimet lidhur me atentatin e kryer ndaj dy kushërinjve nga Vlora në autostradën Tiranë-Durrës.

Burime nga Policia e Tiranës thanë se nga deklarimet që u janë marrë dy kushërinjve nga Vlora, nuk rezulton që ata të kenë ndonjë problem të mbartur apo konflikt të rëndë me ndonjë person.

Asnjëri prej tyre nuk rezulton me precedentë të mëparshëm penalë dhe, sipas policisë, nuk njiheshin si persona konfliktualë.

Policia po heton dyshimin se njoftimi në sallën operative është dhënë në orën 21:30, në një kohë që ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:50.

Raportohet se njoftimi i policisë është bërë më pas sepse u bë transportimi për në spital i të plagosurit, shkruan ‘Panorama’.

Personi që transportoi të plagosurin ka deklaruar se nuk ka arritur ta shohë autorin, për shkak të errësirës, por edhe sepse ai mbante një kokore në kokë.