




Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka shpjegon të pranishmëve dy arsyet kryesore se pse PAA vendosi të mos regjistrohet në zgjedhje.
Gjatë një takimi që zhvilloi me strukturat dhe banorët e njësisë nr.7 në Tiranë mbrëmjen e djeshme, ai sqaroi se pse PAA është bërë palë me Partinë Demokratike dhe aleancë me opozitën.
Sipas tij, arsyeja e parë është sepse nuk garantohen zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe për këtë u shpreh se edhe zgjedhjet e pjesshme të 2015 patën shumë problematika në të gjithë Shqipërinë.
“Partia Socialiste punën e parë që bëri tha se sapo të vinte në pushtet do të shfuqizonte ligjin e mbetjeve, përkundrazi tani po tenton me të gjitha mënyrat që ta realizojë atë, pra të lejojë futjen e mbetjeve në Shqipëri. E gjetur përballë kësaj situate, për këto dy arsye, që janë arsye sublime, pra për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe për të gjithë çështjet me të cilat merret Partia Agrare Ambientaliste ndjehet e tradhtuar, nuk është realizuar asgjë nga ato që ka premtuar PS, ne jemi të detyruar të marrim këtë vendim i cili është i vështirë, nuk është një vendim i lehtë për t’u marrë”, deklaroi Duka.
Ai e cilësoi se është një vendim i sforcuar në një situatë të sforcuar.
Gjatë takimit u prezenatuan dy kandidatët për deputetë të PAA për Tiranën, Adi Haxhiymeri dhe Arben Tafaj.
Kryetari i PAA, Agron Duka tha se ndryshe nga forcat e tjera politike, Partia Agrare Ambientaliste po ofron për qytetarët alternativat e duhura, njerëz që jetojnë e punojnë në vendin ku kandidohen, specialist, dhe të fushës që PAA ka në vëmendje të saj.
Më tej ai tha se në tetë qarqe të Shqipërisë synohet të fitohen deputetë dhe ky sipas tij, është një pretendim serioz dhe realist. /a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





