
Kryeministri Edi Rama thotë se Shqipëria nuk mund të kthehet mbrapa dhe se dhuna nuk është alternativë, dhe se kërcënimet nuk janë program.
“Gjithë ky proces është historik pasi Bashkimi Europian na pret për të negociuar anëtarësimin. Por dhe Shqipëria dhe shqiptarët presin çlirimin e drejtësisë nga kthetrat e gjyqtarëve të korruptuar, ndaj Vettingu është interes jetik”, tha sot kreu i qeverisë nga selia e Partisë Socialiste.
Në këtë drejtim ai shtoi se për Shqipërinë që kemi është me interes të dialogohet bashkë me opozitën, pa vënë kushtet.
“Të ulemi në tavolinë dhe të diskutojmë ballë për ballë për të gjetur zgjidhje për çka opozita pretendon, brenda kornizës kushtetuese. Jo thjeshtë për të bërë zgjedhje të lira dhe të ndershme por edhe për të përcaktuar rrugën që është përcaktuar nga rilindasit. Shqipëri europiane pa drejtësi europiane nuk mund të ketë dhe Shqipëri europiane me dhunë dhe kërcënim nuk mund të ketë”, u shpreh Rama.
I pyetur nga gazetarët mbi deklaratën e kryeparlamentarit Ilir Meta se LSI është gati të lërë mandatet, Kryeministri tha se e konsideron qeverinë përgjegjësi dhe detyrat përgjegjësi dhe jo privilegje dhe nga kjo përgjegjësi deklaroi se, “ne nuk mund të heqim dorë për sa kohë jemi votuar nga populli për të ushtruar këtë përgjegjësi”.
Nga ana tjetër Rama nënvizoi se, është gati të përfshihet çdo gjë në Kodin Zgjedhor për çdo shqetësim që ka opozita në bashkëpunim me OSBE- ODHIR.
“Unë i qëndroj asaj që kam thënë gjithmonë zgjedhjet janë të popullit, jo të partive. Politikanët mund të paraqiten, nuk mund të paraqiten, por kjo nuk mund të ndodh që të mos votojnë ditën që ne s’kemi qejf”, tha në mbyllje Edi Rama. /a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





