Transmetuar më 10-04-2017, 11:35

Partia Demokratike dhe partitë aleate opozitare kanë zhvilluar një mbledhje mëngjesin e sotëm ku kanë vendosur që asnjë prej tyre të mos regjistrohet në zgjedhje deri në realizimin e kërkesës së tyre, atë të krijimit të një qeverie teknike.

Por ndërkohë opozita ka paralajmëruar një protestë të madhe kombëtare në Kavajë më 7 maj, ditën kur do të mbahen edhe zgjedhjet për kreun e Bashkisë, kua s opozita dhe as LSI nuk merr pjesë.

“Koalicioni opozitar i mbledhur sot, konfirmon qëndrimin për mosregjistrim në KQZ deri në arritjen e një pakti politik për krijimin e qeverisë teknike që do sigurojë zgjedhje të lira. Koalicioni opozitar vendosi mbajtjen e një proteste të madhe kombëtare më 7 maj në Kavajë”. 

Ditën e sotme skadon afati ligjor për regjistrimin e partive politike si subjekt zgjedhor për zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit. 

 Neni 64, pika 1 e Kodit Zgjedhor parashikon që çdo parti duhet të paraqesë kërkesën për t’u regjistruar si subjekt zgjedhor në KQZ jo më vonë se 60 ditë përpara datës së zgjedhjeve.

Deri tani në KQZ janë regjistruar 29 parti, ndërkohë që komisioni do të mblidhet mesditën e sotme për të regjistruar dhe tre parti të tjera, që do të jenë pjesë e procesit zgjedhor. 

Ndërkohë, çadra e opozitës do të vazhdojë të qëndrojë në bulevard pavarësisht protestës që do të mbahet në Kavajë. /b.l/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd