Transmetuar më 09-04-2017, 13:17

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, gjatë fjalës së tij në Konventën Kombëtare të LRI-së, deklaroi se e ardhmja e vendit “nuk mund të merret peng nga askush që mendon më shumë për karrigen dhe pushtetin”.

“Nuk kemi asnjë minutë për të humbur me arrogancën e njërës palë dhe ultimatumet e palës tjetër për t’i dhënë Shqipërisë zgjedhje të lira e të ndershme. Nuk na dhimbsen as karriket tona për t’i dhënë një zgjidhje politike Shqipërisë e shqiptarëve e për të mos u bërë turpi i Europës në vitin 2017”, tha Meta.

Kryeparlamentari kritikoi edhe reformën në arsim, duke thënë se “ekonominë e dijes nuk mund ta realizojmë nëse vrasim ëndrrën qoftë edhe të një maturanti”.

“Detyrimi ynë madhor është të investojmë te edukimi i rinisë, pasi vetëm kështu Shqipëria do të jetë e sigurtë në lidershipin tuaj", tha Meta.

Më tej, bashkëkryetari i koalicionit të majtë qeverisës rriti tonet kritike ndaj Ramës kur tha se "kërkojmë një Shqipëri pa drogë dhe një Parlament që të përfaqësojë qytetarët dhe jo krimin e organizuar dhe lobet që po atrofizojnë ekonominë e vendit me monopole, koncencione dhe klanet e kapura".

"Nuk duam bizesmenë që vijnë për tenderë dhe për t’i vënë gjoba Qeverisë dhe Parlamentit”, – tha z.Meta duke iu referuar faktit se pothuajse të gjithë biznesmenët deputetë janë sjellë në Parlament nga Partia Socialiste. 

Meta u shpreh optimist se situata do të ndryshojë, kur tha se është forca e të rinjve që nuk do të lejojë askënd të marrë peng demokracinë dhe zgjedhjet e lira në këtë vend. “Demokracia nuk është e nuk mund të jetë ‘one man show’, por një shans për të gjithë”, – përfundoi z.Meta. /noa.al/ 

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd