
Policia ka dhënë sot detaje të reja lidhur me vrasjen mafioze të ish komisarit të policisë, Artan Cuku. Hetimi nxori se në vrasje janë përdorur dy armë, ndërkohë që janë gjetur 7 gëzhoja.
Sakaq, policia ka vendosur 3 milionë lekë të reja shpërblim për çdo infirmacion të vlefshëm që do të çonte në kapjen e atentatorëve të ish-kryepolicit Artan Cuku.
“Policia e Tiranës, duke garantuar anonimatin e plotë, ka vënë në dizpozicion të kujtdo që ofron informacion të vlefshëm për zbardhjen e kësaj ngjarje shumën prej 3 milion lekë të reja si shpërblim, në numrin e telefonit 0694110299”, thuhet në njoftimin zyrtar që shpërndau për mediat Policia e kryeqytetit.
NOA mëson se deri tani janë shoqëruar 11 persona që janë pyetur për dijeninë që ata kanë mbi rrethanat e krimit.
Duke analizuar veprimet e para, në funksion të hetimit janë ngritur dhe po verifikohen të gjitha versionet për të përcaktuar motivin e kryerjes së kësaj ngjarje.
Përsa i përket vrasjes, grupi hetimor është duke punuar për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, për kërkimin dhe marrjen e deklarimeve personave që kanë dijeni rreth ngjarjes, fiksimin dhe sekuestrimin e provave materiale, të cilat dyshohet se janë përdorur nga autorët për kryerjen e kësaj vepre të rëndë penale.
Nga këqyrja e vendit të ngjarjes rezulton se janë përdorur dy armë zjarri, pasi janë gjetur, fiksuar dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 2 gëzhoja arme të kalibrit 9mm dhe 5 gëzhoja të kalibrit 7.65 mm.
Ngjarja e rëndë u regjistrua në orën 20:11 të mbrëmjes së të shtunës në vendin e quajtur, "Rruga e Kosovarëve” Njësia nr 5, Tiranë në hyrje të pallatit “Melrose”.
Persona të paidentifikuar qëlluan me armë zjarri pistoletë Artan Cukun, 42 vjeç, lindur në Dibër dhe banues në Tiranë, ish-punonjës policie në funksione të ndryshme. Së fundmi, Cuku ishte administrator i shoqërisë së ruajtjes fizike “Internacional”, që kishte në ruajtje disa objekte.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





