
Në garën e nisur me kreun e opozitës Lulzim Basha lidhur me rubrikën "Kush gënjen?", kreu i qeverisë, Edi Rama ka përdorur deklaratën e austriakut që është njëkohësisht Zv. President i Socialistëve e Demokratëve Europianë.
Prof. Dr. Josef Weidenholzet vlerëson rrugën e Shqipërisë drejt integrimit, për të cilën thotë se është drejt finishit dhe ndër të tjera thekson se të kërkosh sot dy muaj para zgjedhjeve, shtyrjen e tyre dhe qeveri teknike do të thotë të rikthehesh disa vite pas.
“Shqipëria ndodhet në metrat e fundit drejt finishit në integrimin europian. Këto katër vite kanë qenë tejet të rëndësishme në përmbushjen e agjendave të saj europiane. Të kërkosh sot, dy muaj para zgjedhjeve që ato të shtyhen e akoma më shumë, nën preteksin e "zgjedhjeve të lira" të kërkosh një "qeveri teknike", do të thotë të rikthehesh disa vite pas”, shkruan Ram,a në postimin e tij.
Por nga Çadra e Lirisë e vendosur para kryeministrisë, kryedemokrati Lulzim Basha ka deklaruar se nuk ka ndërmend të regjistrohet në zgjedhjet fasade, afati i të cilit në KQZ skadon ditën e hënë.
Në këtë mënyrë Basha ka rikonfirmuar edhe një herë se Partia Demokratike nuk ka ndërmend të hyjë në zgjedhje pa formimin e një qeverie teknike, për të cilin kryeministri Edi Rama nuk ka dhënë dakordësi, por ka ftuar kreun e PD për dialog pa kushte.
“Nuk ka e nuk do të ketë asnjë zgjidhje tjetër përveç largimit të qeverisë së krimit dhe korrupsionit. Na jep KQZ-në, por çfarë duhet ajo kur ke krimin, drogën dhe policinë që e ke shndërruar në repart ushtarak të krimit. Nuk regjistrohemi për zgjedhje fasadë”, u shpreh Basha. /b.l/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





