


Në garën e nisur me kreun e opozitës Lulzim Basha lidhur me rubrikën "Kush gënjen?", kreu i qeverisë, Edi Rama ka përdorur deklaratën e austriakut që është njëkohësisht Zv. President i Socialistëve e Demokratëve Europianë.
Prof. Dr. Josef Weidenholzet vlerëson rrugën e Shqipërisë drejt integrimit, për të cilën thotë se është drejt finishit dhe ndër të tjera thekson se të kërkosh sot dy muaj para zgjedhjeve, shtyrjen e tyre dhe qeveri teknike do të thotë të rikthehesh disa vite pas.
Në fund ai i ka bërë thirrje forcave politike që të mos vendosin në kandar të ardhmen e vendit, por një gjë të tillë t’ja lënë në dorë popullit që të vendosë në datën 18 qershor.
“Shqipëria ndodhet në metrat e fundit drejt finishit në integrimin europian. Këto katër vite kanë qenë tejet të rëndësishme në përmbushjen e agjendave të saj europiane. Ne presim që kjo rrugë e nisur e cila s’ka qenë aspak e lehtë për të mbërritur deri këtu të vazhdojë, sepse frutet e saj i pret me padurim një popull i tërë që të ardhmen e tij e sheh vetëm në integrimin e plotë në familjen europiane.
Të kërkosh sot, dy muaj para zgjedhjeve që ato të shtyhen e akoma më shumë, nën preteksin e "zgjedhjeve të lira" të kërkosh një "qeveri teknike", do të thotë të rikthehesh disa vite pas. Unë ju bëj thirrje forcave politike të mos vendosin në kandar të ardhmen e vendit por t’ja lënë në dorë popullit, në datën 18 qershor, ta vendosë se kush do e drejtojë në katër vitet e ardhshme”, përfundon postimi.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





