Transmetuar më 09-04-2017, 08:15

Ish- Drejtori i Policisë së Vlorës Artan Cuku është ekzekutuar me armë zjarri mbrëmjen e të shtunës në zonën e liqenit në Tiranë. Ish- zyrtari i policisë është vrarë duke ecur në këmbë në afërsi të hyrjes së pallatit ku banonte, në "Rrugën e Kosovarëve". Dy plumba dyshohet se i kanë marrë jetën 40 vjeçarit, baba i dy fëmijëve.

Nga hetimi paraprak, dy persona dyshohet të kenë marrë pjesë në atentat. Ata sipas dëshmitarëve okularë kanë qenë duke lëvizur me një motor. Pas vrasjes autorët janë larguar menjëherë nga vendi i krimit, duke humbur gjurmët. Grupi hetimor i ngritur nga policia dhe prokuroria po heton në dy pista kryesore.

Njëra është ajo e hasmërisë që lidhet me detyrën e Cukut, në kohën kur ka qenë Shef Krimesh në Komisariatin nr.4 në Tiranë, në vitin 2005. Në këtë kohë, një i ndaluar vrau veten gjatë kohës që po merrej në pyetje me armën e Artan Cukut duke ia marrë nga brezi. Por sipas burimeve, kjo çështje ishte mbyllur mes familjeve dhe ishin pajtuar me njëra-tjetrën.

Pista tjetër që po ndjek policia është ajo e vrasjes për shkak të detyrës që ka mbajtur viktima. Cuku qëndroi në këtë post për rreth dy vite. Gjatë kësaj kohe në qytetin bregdetar u goditën disa grupe kriminale që merreshin me trafikun e drogërave të forta. Hetimi është marrë në dorë nga Prokuroria dhe Krimet e Rënda, pasi ka dyshime se vrasja lidhet pikërisht me detyrën që ka kryer viktima.

Ngjarja

Artan Cuku është qëlluar në hyrjen e pallatit me plumb në kokë, teksa po futej për në ashensor. Më herët 42-vjeçari kishte qenë i ulur në një lokal aty pranë. Autorët dyshohet të kenë qenë dy persona.

Personi që qëlloi Cukun ka qenë i kamufluar dhe është larguar me biçikletë teksa një i dytë dyshohet se qëndronte në suport të tij. Duke përfituar nga errësira ka arritur të largohet në rrugicat dytësore, të cilat lidhin me stadiumin “Selman Stërmasi” dhe sheshin “Willson”.

Policia ndodhet në vendin e ngjarjes, ndërsa në disa pika janë ngritur postblloqe për të rënë në gjurmët e autorëve, të cilët mendohet se kanë qenë dy.

Artan Cuku lindi më 25 Janar 1975, në Lurë të Dibrës dhe ishte baba i dy fëmijëve. I ndjeri ka mbajtur postin e drejtorit të policisë së Vlorës në periudhën 2012-2013. Më herët, viktima i atentatit, Artan Cuku ka mbajtur edhe detyrën e nëndrejtorit të policisë për Krimet e Rënda në Drejtorinë e Policisë Tiranë në periudhën 2009-2011.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd