Transmetuar më 08-04-2017, 22:12

Kur Artan Cuku i cili u vra sonte, ishte shef i komisariatit nr 4 të Policisë në Tiranë, një person vrau veten në zyrën e tij.

Ngjarja e paprecedentë ndodhi në janar të vitit 2005 në komisariatin 4 të Tiranës kur i shoqëruari nga policia, Agim Daka me origjinë nga Tropoja, vrau veten në zyrën e Cukut.

Agim Daka ishte vëllai i Bujar Dakës nga Cërrnica e Tropojës i cili ishte arratisur së bashku me 2 persona të tjerë nga ambientet e paraburgimit në Shkodër. Dhe për këtë policia kishte ndaluar vëllain e Bujarit, Agimin për ta marrë në pyetje. Zyrtarisht thuhet se Agim Daka kreu vetëvrasje, por në atë kohë deputetë të opozitës së djathtë akuzuan shefin e komisariatit Artan Cuku se kishte torturuar Dakën derisa ai kishte humbur jetën.

Ish-deputeti i Tropojës, Azgan Haklaj mbajti atëherë këtë deklaratë në Parlament: “Agim Daka ishte qytetar i thjeshtë e i pambrojtur, ai ra viktimë i klanit farefisnor të prokurorit të Shkodrës Ulsi Manja, të drejtorit të Shkodrës Ahmet Premçi, të drejtorit të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm (SHKB) Sami Rasha, të ministrit Toska, të prokurorit Visha e Sollaku, etj., të cilët duke qenë miq të ngushtë e me lidhje gjinie shumë të afërt me njëri-tjetrin, urdhëruan Rambon e tyre Artan Cuku të vidhte Agim Dakën në mes të rrugës e ta masakronte për dhjetëra orë në polici, duke mos i lejuar atij të ketë as një avokat siç e parashikon ligji, ose të paktën të njoftohej familja e tij, por më në fund e vranë edhe Agim Dakën”.

Drejtori i Policisë së Tiranës Ervin Hodaj duke folur sonte mbi ekzekutimin e ish-drejtorit të policisë së Vlorës, Artan Cuku, tha se hakmarrja është një nga pistat e hetimit të kësaj vrasjeje.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd