





Vritet ish-drejtori i policisë së Vlorës, Artan Cuku. Ngjarja e rëndë ku ish-zyrtari i lartë policor u qëllua për vdekje me armë zjarri, u regjistrua sonte në ora 20.00 në “Rrugën e Kosovarëve” pranë Liqenit Artificial në Tiranë.
Cuku është qëlluar në hyrjen e pallatit me plumb në kokë, teksa po futej për në ashensor.
Më herët 42-vjeçari kishte qenë i ulur në një lokal aty pranë.
Nuk dihen shkaqet e dhe as autorët e këtij krimi të rëndë. Autorët dyshohet të kenë qenë dy persona.
Personi që qëlloi Cukun ka qenë i kamufluar dhe është larguar me biçikletë teksa një i dytë dyshohet se qëndronte në suport të tij.
Duke përfituar nga errësira ka arritur të largohet në rrugicat dytësore, të cilat lidhin me stadiumin “Selman Stërmasi” dhe sheshin “Willson”.
Policia ndodhet në vendin e ngjarjes, ndërsa në disa pika janë ngritur postblloqe për të rënë në gjurmët e autorëve, të cilët mendohet se kanë qenë dy.
Artan Cuku lindi më 25 Janar 1975, në Lurë të Dibrës dhe ishte baba i dy fëmijëve.
I ndjeri ka mbajtur postin e drejtorit të policisë së Vlorës në periudhën 2012-2013.
Më herët, viktima i atentatit, Artan Cuku ka mbajtur edhe detyrën e nëndrejtorit të policisë për Krimet e Rënda në Drejtorinë e Policisë Tiranë në periudhën 2009-2011. /noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





