Transmetuar më 08-04-2017, 14:59

Një operacion ndërkombëtar antidrogë ka shkatërruar një grup që merrej me trafikimin e lëndëve narkotike, duke vënë në pranga pesë shqiptarë dhe dy italianë.  

Pesë shqiptarët Eduart Sallaku, Vitor Brahja, Jurgen Brahja, Gjon Brahja, Lazër Lazri dhe dy italianët Gianfranco Maiorano, Donato Carlucci u vunë në prangat e policisë shqiptare, në sajë të hetimit të përbashkët i Prokurorisë për Krime të Rënda dhe Prokurorisë së Leçes në Itali.

Ata akuzohen se trafikonin lëndë narkotike kanabis nga Shqipëria drejt Italisë, me skaf duke u nisur nga zona e Gjirit të Lalzit, në Durrës dhe destinacion brigjet italiane.

Nga hetimet e deritanishme ka dyshime të arsyeshme se Eduart Sallaku është në krye të këtij grupi kriminal, në rolin e organizatorit të trafikimit të lëndës narkotike nga Gjiri i Lalëzit në drejtim të Brindizit.

Gjatë hetimit të Prokurorisë për Krime të Rënda rezulton se Sallaku, në bashkëpunim me dy italianëtt Gianfranco Maiorano, i cili rezulton me precedentë penal në shtetit italian, më shumë se një herë dhe Donato Carluccin, kanë bërë përgatitjet e nevojshme për të trafikuar një sasi të konsiderueshme lënde narkotike.

Nga të dhënat e deritanishme rezulton se Eduart Sallaku, në 5 prill është afruar në këmbë pranë bregut të detit dhe ka hipur në skafin në pronësi të Lazër Lazrit. Të dy kanë pritur ardhjen e një tjetër skafi, të nisur nga Italia, në bordin e së cilit gjendeshin dy shtetasit italianë.

Lazër Lazri është kontaktuar nga Vitor Brahja, me qëllim që të ndihmonte në transportimin e lëndës narkotike nga brendësia e pyllit për në bordin e skafit të tij dhe, më tej, ta transportonte në skafin e shtetasve italianë më në brendësi të detit.

Për realizimin e qëllimit kriminal, Vitor Brahja ka kontaktuar me dy nipërit e tij Jurgen Brahja dhe Gjon Brahja, të cilët, përveç ndihmës në ngarkimin e lëndës narkotike, do të monitoronin dhe zonën përreth për të sinjalizuar më pas Eduart Sallakun për prezencën e forcave policore.

Hetimet e Prokurorisë për Krime të Rënda, ndiqeshin në terren nga ana e forcave policore të Kufirit, Durrës.

Rezultoi se personat e përfshirë në këtë aktivitet kriminal pikasën lëvizje të policisë dhe për këtë arsye u konsiderua e nevojshme ndërhyrja e menjëhershme për shoqërimin e tyre ende pa mbërritur lënda narkotike. Personat e shoqëruar u morën në pyetje nga ana e Prokurorit.

Në bazë të hetimeve të deritanishme, si edhe të deklarimeve të dhëna nga të shoqëruarit fillimisht dhe më tej të ndaluar me urdhër të prokurorit, u krijuar dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se të dyshuarit kanë konsumuar elementët e veprave penale të “Trafikimi i narkotikëve”, mbetur në tentativë; “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”.

Pesë shqiptarët u arrestuan me urdhër të Prokurorisë për Krime të Rënda të enjten më 6 prill, ndërsa shtetasit italianë një ditë më vonë, të cilët u gjendën në brendësi të pyllit pranë Gjirit të Lalzit.

Në këtë operacion u sekuestrua edhe skafi me të cilin do të kryhej trafikimi i lëndës narkotike nga Shqipëria në drejtim të Italisë. /a.y/noa.al

Foto arkiv, nga Gjiri i Lalzit

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd