




Ishin kthyer në makthin e farmacistëve, pasi me armë në dorë dhe nën kërcënim i grabisnin. Policia e kryeqytetit ka vënë në pranga dy persona të akuzuar për vjedhje me dhunë në farmaci.
Në videon më poshtë dy të dyshuarit shihet se si terrorizojnë farmacisten me armë, duke bërë që ajo nën panik t’iu dorëzojë paratë.
Gjatë ditës së djeshme u bë arrestimi i Foti Kristalit 18 vjeç, banues në Tiranë, i cili u prangos nga efektivët e komisariatit nr.3 në Tiranë.
I riu në bashkëpunim me bashkëmoshatarin e tij Kristi Çinari, 18 vjeç, banues në Tiranë, dyshohet se janë autorë të vjedhjes me dhunë të ndodhur në një farmaci në Rrugën e “Kavajës”, ku kanë arritur të marrin një sasi të konsiderueshme parash.
Aktualisht Çinari, ndodhet i ndaluar në ambientet e paraburgimit, pasi më 26 mars, është konstatuar nga efektivët e komisariatit Nr.4, se kishte shkelur masën e sigurisë “Arrest shtëpie”, pasi ishte i dënuar për veprën penale “Vjedhja”.
Nga kontrollet e kryera në banesat e dy të rinjve janë gjetur edhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale veshjet të cilat dyshohen të jenë përdorur nga të dyshuarit në momentin e kryerjes së ngjarjes.
Dy të rinjtë dyshohet se janë autorë të disa vjedhjeve me dhunë po në kryeqytet dhe në farmaci të tjera. Ndaj tyre vijojnë ende hetimet ndërkohë që materialet i’u referuan Prokurorisë së Tiranës për veprën penale “Vjedhja me dhunë” e kryer në bashkëpunim. /a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





